Milan Radoiçiç, i njohur si organizator i sulmit terrorist në Banjskë, në vitin 2023, po ndërmerr veprime për të destabilizuar proceset demokratike në Kosovë.
Kështu pretendon media “The Geopost”, e cila citon burime lokale dhe të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë, përcjell A2.
Sipas këtyre burimeve, Radoiçiç po përpiqet të shantazhojë pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, me qëllimin për të zgjeruar në heshtje grupin parlamentar të Listës Serbe dhe për të penguar formimin e institucioneve të reja.
Siç thuhet, strukturat e sigurisë janë alarmuar nga biseda të regjistruara të cilat provojnë përpjekjet e tij për të ushtruar ndikim përmes presionit dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj individëve të caktuar. Përpos shantazhit thuhet se ka tregues për plane të gjera për organizimin e protestave të orkestruara dhe përfshirjen e kriminelëve të maskuar e grupeve terroriste për të mbështetur agjendën destabilizuese të Beogradit dhe presidentit Vuçiç.
Burimet ndërkombëtare theksojnë se sjellja e Serbisë i ka kaluar “vijat e kuqe” dhe se tolerimi i mëtejshëm i këtyre veprimeve është bërë i papranueshëm për partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. (A2 Televizion)