Vrasja e Liridona Ademajt, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe 3 të tjerëve

Nga Ideal Gola
15 Janar 2025, 15:03 | Kronikë

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mbyllur hetimet në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023 dhe të mërkurën zyrtarisht ka dërguar aktakuzën pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Për rastin që fillimisht ishte iniciuar si “grabitje me pasojë vdekjen”, hetimet nxorën se gjithçka ishte e planifikuar. Akuzat për vrasje të rëndë tashmë rëndojnë mbi ish-burrin e Liridonës, Naim Murseli, kushëririn e tij Kushtrim Kokallën si dhe për Granit Plavën. 

Po ashtu, i akuzuar në këtë rast është edhe Tom Dodaj, i cili i ka shitur armën me të cilën është kryer vrasja në ditën kritike Naim Murselit.

Megjithëse nuk folën shumë për motivet u përmenden problemet në çift të Naimit dhe Liridonës.

“Ndërsa Liridona dhe Naimi kanë jetuar në Suedi kanë pasur marrëdhënie të çrregullta martesore dhe familjare gjatë të cilave ka ardhur deri te problemet pasurore. Për arsye të tjera të cilat i ka pasur Naimi që të planifikojë dhe të kryejë këtë vrasje mund të kuptoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha prokurorja e çështjes, Javorka Përlinçeviç.

Prokuroria tha se kanë ofruar shumë prova material që dëshmojnë për përfshirjen e të akuzuarve në këtë rast, andaj ka kërkuar edhe dënim maksimal për ta.

“Kjo vepër penale është vepër penale e ‘vrasjes së rëndë’ e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake e cila vepër e bën të cilësuar këtë natyrë të veprës penale andaj si e tillë presim nga gjykata një dënim kapital sa i përket kryerësve të kësaj vepre penale”, tha kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

Gjatë konferencës për media, prokurorja e rastit mohoi se ka pasur pranim të fajësisë nga të akuzuarit por nuk janë të interesuar as për marrëveshje për pranim fajësie.

“Marrëveshje për pranimin e fajësisë për këtë lëndë nuk kemi, kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur kërkesa për diçka të tillë, megjithatë në këtë rast kaq të rëndë mendoj se nuk duhet të përfundojë lënda me marrëveshje për pranimin e fajësisë por që të gjitha faktet dhe rrethanat të nxirren para gjykatës”, u shpreh prokurorja e çështjes, Javorka Përlinçeviç.

Katër të akuzuarit priten të dalin para trupit gjykues brenda dy javëve të ardhshme kur Gjykata Themelore e Prishtinës të caktojë seancën e parë për shqyrtim fillestar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos