
Është çelur më 7 maj në ambientet e Babylon në Berlin festivali i filmit shqiptar “Fly Like an Eagle”, një aktivitet që sjell në zemër të kryeqytetit gjerman historinë dhe zhvillimin e kinematografisë shqiptare ndër vite.
Festivali u hap me shfaqjen e filmit ikonë Vdekja e Kalit, ndërsa publiku pati mundësinë të takojë aktorin e njohur Timo Flloko, në një bashkëbisedim të moderuar nga regjisorja Odeta Çunaj, shkruan A2 CNN.
Përgjatë datave 7-13 maj, festivali sjell 20 filma shqiptarë, duke përfshirë klasikë të restauruar të Kinostudios Shqipëria e Re, filma modernë, dokumentarë dhe produksione të shkurtra.
Mbrëmja e hapjes u përshëndet nga ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani Adia Sakiqi, drejtori i Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Eljan Tanini, si dhe kuratori i programit Elson Zguri, të cilët vlerësuan festivalin si një urë kulturore mes Shqipërisë dhe publikut gjerman, përcjell A2 CNN.
Në këtë aktivitet u prezantua edhe një ekspozitë e artistit Klevis Ibrahimi, me 12 piktura të frymëzuara nga ikonat e filmit shqiptar.
Festivali organizohet me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Berlin, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe partnerëve kulturorë në Gjermani.
View this post on Instagram