
Një godinë e madhe që ka qenë në përdorim për një periudhë të gjatë, nga shekulli III para lindjes së Krishtit deri në shekujt V–VI pas lindjes së Krishtit, është zbuluar këtë qershor nga arkeologët që po punojnë në qytetin antik të Amantia.
Ata kanë evidentuar fortifikimin e pjesës së poshtme të qytetit, përfshirë edhe zonën e agorasë antike, e cila më herët mendohej se kishte qenë e pafortifikuar.
Zbulimi i parë në muajin maj ndodhet jashtë qytetit antik dhe është një ndërtesë që daton në shekullin III para lindjes së Krishtit, thuajse e njëjta periudhë me datimin e zbulimit të dytë, i cili është brenda mureve të qytetit antik të Amantias, në sektorin e fortifikimit.
“Një tjetër zbulim me interes është identifikimi i mundshëm i një kulle, pjesë e sistemit fortifikues të qytetit. Gërmimet e ardhshme pritet të konfirmojnë funksionin dhe përmasat e saj.”
Gjurmët e shkatërrimit të këtyre strukturave datojnë në shekullin e pestë pas Krishtit dhe lidhen me periudha konfliktesh.
Në pjesën lindore të sitit janë zbuluar edhe mbetjet e një ndërtese monumentale, e cila mendohet të ketë pasur funksione ekonomike ose të lidhura me transportin dhe tregtinë.
Arkeologët planifikojnë zgjerimin e kërkimeve në zonën e akropolit dhe pranë stadiumit antik, ku dyshohet për praninë e strukturave të tjera publike.
Sipas tyre, rezultatet e deritanishme po hedhin dritë të re mbi organizimin urban dhe sistemin mbrojtës të qytetit antik, ndërkohë që Amantia është edhe një atraksion për turistët. (A2 Televizion)