
Kuvendi i Kosovës ka miratuar pesë marrëveshje ndërkombëtare financiare, me 104 vota pro, asnjë kundër dhe 5 abstenime, raporton A2CNN.
Dy nga këto marrëveshje lidhen drejtpërdrejt me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. E para parasheh mbështetje për Kosovën në kuadër të këtij plani, në zbatimin e reformave dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik. E dyta është marrëveshje kredie në kuadër të të njëjtit plan, që siguron mjete financiare për realizimin e reformave të dakorduara.
Marrëveshja e tretë është arritur me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, dhe ka të bëjë me mbështetje për menaxhimin e financave publike, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Deputetët kanë miratuar edhe marrëveshjen për projektin “Kompas”, që synon forcimin e sistemit shëndetësor në vend.
Marrëveshja e pestë parasheh investime në edukimin në fëmijërinë e hershme dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. (A2 Televizion)