Seanca konstituive e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e qershorit në Kosovë, do të mbahet më 6 gusht në orën 10. Njoftimin e dha ushtruesja e detyrës së presidentit Albulena Haxhiu këtë të premte. Në një konferencë për media ajo sqaroi se ka vendosur të mos e caktojë për më herët datën e seancës pasi nuk ka dakordësi për çështjen e presidentit.
Albulena Haxhiu tha: “Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politik për çështjen e presidentit kam vendosur që menjëherë pas certifikimit të mos e thërras me nguti seancën konstituive por të shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’u krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe ndërtimin e një konsensusi. Prandaj sot kam vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 6 gusht.”
Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga data e seancës konstituive nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje. Caktimi i datës për seancën konstituive vjen në kohën kur bisedimet për një marrëveshje të mundshme për krijimin e institucioneve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar.
Më 15 korrik, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ishte i detyruar që të pezullonte diskutimet me kreun e LVV-së, njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pasi në LDK ka një nismë për shkarkimin e tij nga kreu i partisë. Më 10 korrik, Kurti u takua ndarazi me Abdixhikun dhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Teksa Hamza tha pas takimit se partia e tij do të mbetej në opozitë, Abdixhiku shprehu gatishmëri për vazhdimin e takimeve. (A2 Televizion)