A mund t'i japë zgjidhje procesit? Analistët: SHBA duhet të përfshihet direkt në dialog

Nga Ideal Gola
15 Nëntor 2024, 20:05 | Politikë

Përshirja direkte e Shteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë shihet si e nevojshme për t’i dhënë drejtim procesit, i cili në vitet e fundit është zvarritur. 

Palët janë lëshuar në akuza për mosrespektim të marrëveshjeve, ndërsa Bashkimi Europian, si ndërmjtësues, nuk ka arritur të sigurojë se dakordimet e arritura në letër të zbatohen edhe në praktikë.

Profesori Arben Fetoshi u shpreh për A2 CNN: “Historia e dështuar deri më tani e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian tregon vetëm një gjë, nevojën dhe domdsohsmërinë e përfshirjes direkte të Shteve të Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë zgjidhje këtij konflikti dhe për t’i dhënë shans paqes në Ballkanin Perëndimor”.

Administrata e re që pritet të marrë detyrën pas dy muajsh ende nuk ka dhënë shenja se mund të ketë prioritet çështjen e dialogut, por premtimet për t’i dhënë fund krizave mund të përfshijnë në agjendën e Trump edhe Ballkanin Perëndimor.

Arbënor Sadiku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, thekson: “Natyrisht që ky do të vijë me një plan krejt tjetër, me dinamkë më të re, më të shtuar dhe më brutale në raport me të gjitha krizat që ndodhen sot për sot në botë, në mënyrë që t’i jepet përparësi zgjedhjes së problemeve që i ka qytetari amerikan dhe vetë ekonomia amerikane”.

“Shpresoj që administrata Trump gjithashtu është e ndërgjegjshme për domosdoshmërinë e ndërhyrjes direkte për t'i dhënë zgjidhje këtij problemi që po e zvarrit zgjidhjen dhe po e mban Kosovën në një “status quo” e cila ka penguar çfarëdo procesi tjetër zhvillimor për vendin tonë”, shton profesor Fetoshi.

Detyrimi për të zbatuar marrëveshjet, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, nuk do të jetë një problem për Shtetet e Bashkuara.

“Amerika ka shumë ndikim në Kosovë, pasi ka ushtarët e vet në Bondsteel, ka fondet, metoda që mund të qortojë Kosovën në rast se tregohet e papërgjegjshme si deri më tani në raport me dialgoun dhe zbatimin e marrëveshjeve, që në fakt kanë qenë vetë të pranuara nga Kosova, natyrisht që kjo do të ndodhë edhe me Serbinë dhe vendet e tjera”, deklaron Sadiku.

Kosova dhe Serbia gjatë vitit të kaluar arritën dakordimin për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit, por që shumë pak është bërë në drejtim të zbatimit të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos