Zgjedhjet e 9 shkurtit, DNV: Qeveria po tenton të ndërhyjë në proces

Nga Ideal Gola
15 Nëntor 2024, 18:48 | Politikë

Në mungesë të rregullimit ligjor sa i përket periudhës së para fushatës, partitë politikë në Kosovë kanë intensifikuar takimet me qytetarë duke prezantuar programet dhe kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit.  Koalicioni i organizatave që monitorojnë procesin zgjedhor, “Demokracia në Veprim” përmes një konference për media bëri një vlerësim të periudhës së para fushatës, ku sipas tyre ka ndërhyrje të Qeverisë si dhe shfrytëzim të burimeve publike për qëllime elektorale.

Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka zhvilluar takime kryesisht në diasporë dhe është subjekti i vetëm politik që nuk ka zhvilluar asnjë aktivitetet brenda vendit. Ndërsa partitë opozitare si PDK, LDK, AAK dhe të tjera kanë pasur takime në diasporë dhe në Kosovë. Megjithatë nga DNV thanë se burimet shtetërore kryesisht jashtë vendit si ambasadat apo misionet diplomatike po i vihen në shërbim partisë në pushtet.

“E njohim të drejtën e kryeministrit që të zhvillojë takime të karakterit diplomatik por do të duhej të rezervohej nga takimet e tilla me qytetarë që atij i ofrojnë një avantazh të pabarabartë dhe e cenojnë parimin e garës së ndershme zgjedhore për shkak se një mundësi të tillë nuk e kanë partitë opozitare”, tha Eugen Cakolli nga “Demokracia në veprim”.

Rritja e pensioneve e përfitimet për kategoritë e luftës, rritja e pagës minimale si dhe rritja e pagës për sektorin publik për Demokracinë në Veprim, dëmtojnë barazinë e garës zgjedhore dhe mund të ndikojnë në përcaktimin e votuesve, duke krijuar një garë të pabarabartë.

“Ndonëse në e mirëkuptojmë vendimmarrjen e qeverisë në raport me këto elemente vet hyrja në fuqi e tyre pak javë para organizimit të procesit zgjedhor përbën ndërhyrje në përcaktimin e lirë të votuesve dhe si e tillë krijon një avantazh të padrejtë të ekzekutivit në raport me partitë e tjera opozitare”, theksoi Cakolli.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga DnV kishte të bënte me procesin e votimit jashtë vendit. Deri tani, janë aprovuar rreth 15,000 aplikime për votim jashtë vendit, ku dy të tretat e këtyre aplikimeve janë për votim me postë në misionet diplomatike të Kosovës. Megjithatë, DnV vëren se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka tentuar të ndërhyjë në këtë proces duke kërkuar hapjen e qendrave të votimit në vende të tjera, gjë që është e paligjshme, pasi KQZ-ja është institucioni i vetëm që ka autoritetin për të organizuar dhe administruar zgjedhjet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos