Akuza dhe debate mes partive, gjithçka dështon në kuvend, Kurti hyn nga dera e pasme

Nga Xhevahir Qardaku
7 Qershor 2025, 14:15 | Politikë

Akuza dhe debate mes partive, gjithçka dështon në kuvend, Kurti

Thuajse asgjë e re nga kuvendi i Kosovës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ndërruar derën e hyrjes për në parlament, duke mos përdorur atë kryesore, por një tjetër që aksesohet shumë rrallë. Megjithatë kjo nuk ndikoi aspak që edhe përpjekja e 28 për konstituimin e kuvendit të përfundonte në dështim.

Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa sërish nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit. Ndërsa PDK, LDK, dhe AAK kundërshtuan sërish votimin e fshehtë. 

“Mua më jep me kuptuar që këta nuk e kanë me Albulenën por e kanë me Albin Kurtin. Për besë për neve, nëse ata duan të maten me Albin Kurtin, ata duhet të shkojnë të matën në numrin e votimit të qeverisë sepse ne e kemi kandiduar Kurtin për kryeministër, jo për kryeparlamentar”, tha deputeti i VV-së, Dimal Basha.

“Nuk është në rregull të normalizohet kjo lloj situate. Edhe një herë bëjmë thirrje për reflektim ne si Partia Demokratike të Kosovës kemi ofruar zgjidhje. Nuk është koha të barrikadohemi. Kosova është shumë më e madhe se secila parti dhe secili prej nesh veç e veç. Kosova ka nevojë për institucione”, u shpreh nënkryetarja e PDK, Vlora Çitaku.

Megjithatë deputetja Albulena Haxhiu, që e sheh veten në qendër të kësaj krize politike dhe institucionale, pretendon se Vetëvendosje i ka numrat për qeverinë e re.

“Ne kemi thënë që i kemi numrat për qeverinë dhe lë të na matin, le të na sfidojnë. Këta e dinë që ne i kemi votat për qeverinë dhe e mbajnë peng kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Albulena Haxhiu.

Ndërkohë, nuk munguan as thumbimet mes përfaqësuesve të LDK-së ndaj atyre të Vetëvendosjes.

“Mef, hajde fol pak. Hajde fol për koalicionet”, i tha deputeti i LDK-së Arben Gashi, kolegut të tij nga Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po pret një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese për çështjen e ndryshimit të votimit nga publik në të fshehtë.

E deri në atë vendim, spektri politik është ngujuar në qëndrimet e kundërta dhe saga me vazhdimin e seancës çdo 48 orë do të vazhdojë pa një afat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos