Akuza ndaj Kurtit, PDK: Rruga europiane e Kosovës ka pësuar regres

Nga Ideal Gola
16 Maj 2025, 23:50 | Politikë

Partia Demokratike e Kosovës ka lëshuar një sërë akuzash ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti për ngecje në anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe për dëmtim të raporteve me aleatët.

Deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu Shoshi, pjesë e delegacionit të Kosovës në Këshill të Europës, tha se vendi nuk mund të bëhet anëtar i këtij institucioni pa iu hequr paraprakisht masat ndëshkuese të Bashkimit Europian, shkruan A2.

“Rruga evropiane e Kosovës jo vetëm që ka stagnuar, por ka pësuar regres. Vetëm dy ditë më parë secili nga ne pamë se si Kosova humbi edhe një tjetër rast historik për anëtarësim në Këshillin e Evropës, deklaroi Musliu Shoshi.

PDK akuzon Kurtin për dëmtim imazhi dhe për izolim ndërkombëtar të Kosovës për shkak të sjelljeve të tij: “Të gjitha këto dështime kanë një adresë të qartë, një qeveri e dobët e korruptuar, pa vizion dhe pa plane. Një qeveri që në vend të bashkëpunimit ka zgjedhur konfliktin, që në vend të dialogut ka zgjedhur arrogancën, në vend të përgjegjësisë ka zgjedhur justifikimet dhe jo seriozitetin”.

PDK akuzoi Vetëvendosjen se po mban peng institucionet me mungesën e konstituimit të Kuvendit duke bërë që të rrezikohen miliona euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos