Akuzat e opozitës, Ministria e Mbrojtjes: Interesim i madh i të rinjve për ushtrinë

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2024, 20:42 | Politikë

Ministria e Mbrojtjes është e kënaqur me interesimin e të rinjve kosovarë për t’iu bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës. Përkundër kritikave se nuk ka numër të mjaftueshëm të të interesuarve ata thanë se gati kanë dyfishuar numrin e ushtarakëve. 

Partia Demokratike e Kosovës thotë konkurrenca dikur ishte shumë më e madhe për një vend në Forcën e Sigurisë.

“Viteve të kaluara mbaj mend kur kam qenë vet pjesë e FSK-së ne kemi pasur për 12 vende për kadetë nga 5-6 mijë konkurentë. Sot duhet të përsëriten konkurset në vazhdimësi për të siguruar numrin e nevojshëm të paktën bile 2-3 veta për një vend që me pas mundësi përzgjedhjeje”, shprehet deputeti i PDK, Hisen Berisha.

Sipas PDK-së, fajtor për rënien e interesimit për t’u bërë pjesë e ushtrisë është Ministria e Mbrojtjes që sipas tyre me disa skandale si ajo për ushqimin apo me moskujdesin ndaj ushtarëve aktual kanë dhënë mesazhe të gabuara për të rinjtë që pëlqejnë ushtrinë.

“Gjendja që është krijuar në Forcë ndër këto vite ka demonstruar dhe ka krijuar një imazh i cili më nuk ka qenë simulues për konkurrim të të rinjve në Forcë”, shton Berisha.

Në sytë e ish-ushtarakëve interesimi për t’u bërë pjesë e ushtrisë nuk mund të jetë sikurse ai në fillime, pasi lidhet kryesisht me situatën e sigurisë në përgjithësi dhe jo me faktin që nuk e duan shtetin.

“Kjo nuk do të thtoë se ata nuk janë patriotë apo nuk e duan vendin e tyre mirëpo ata nuk e shohin një kërcënim shumë të madh në raport me sigurinë e vendit dhe orientohen nga një e ardhme më e mirë në kuptimin ekonomik dhe financiar për ta”, tha ish-ushtaraku Hisen Gecaj.

Megjithatë për Ministrinë e Mbrojtjes në vitet e fundit ka interesim të shtuar, e rrjedhimisht konkurrencë më të madhe për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas tyre, numri total i të rekrutuarve në Forcën e Sigurisë së Kosovës përgjatë periudhës 2021-2024 ka arritur në 2271, duke dyfishuar kësisoj pothuajse numrin total të ushtarakëve të FSK-së.

“Sa i përket interesimit për të aplikuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës, mund të themi se ka shënuar rritje në vitin e fundit në raport me vendet e hapura, meqë në konkursin e mbyllur në muajin tetor, për 300 vende kanë aplikuar 1658 persona, që shprehimisht 6 persona kanë aplikuar për një vend, përderisa më parë ka qenë në raport 3 për 1 apo 4 për 1”, deklaron Ministria e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes thotë se paralelisht janë kujdesur edhe për mirëqenien e ushtarakëve përmes ngritjes së pagave, ndërsa kanë investuar edhe në përgatitjen profesionale përmes financimit të shkollimit dhe trajnimeve. Sipas tyre, mbi 4 mijë ushtarakë janë trajnuar jashtë vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos