Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit është orkestruar nga Milan Radojiçiç, i mbështetur nga shteti Serb. Këtë fakt e ka bërë të ditur kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, e cila tregoi se një gjë e tillë është thënë edhe nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, shkruan A2 CNN. Në raportimin me dyer të mbyllura, ajo tregoi se është thënë që gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile.
“Diskutuam për të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e vendit. Sa i përket raportimit të drejtorit, gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile me provokime të mundshme nga ana e Serbisë. Kur them gjendja është stabile, përjashtohen pesë komunat veriore ku herë pas herë kemi tensione dhe provokime të nxitura nga shteti serb dhe strukturat kriminale të Serbisë atje. Folëm për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit dhe për çështje të tjera”, tha Musliu.
Pas mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, deputetja Musliu theksoi se në komunat veriore ka ende provokime e tensione të nxitura nga shteti serb. Gjatë raportimit të drejtorit të AKI-së, Musliu tha se është thënë që prapa sulmit të kanalit në Ibër-Lepenc qëndron Millan Radojiçiç.
“Në bazë të asaj se çfarë u tha nga drejtori i AKI-së në këtë takim, prapa atij sulmi qëndron Radojiçiq i mbështetur nga shteti serb... Unë ndaj aq sa më lejohet, vetë fakti që drejtori ishte në një raportim para Komisionit Parlamentar nuk mund të jap një deklaratë të pa faktuar dhe të pa bazuar”, tha Musliu.
Në mbledhjen e këtij komisioni është diskutuar edhe për prezencën e drogave sintetike në shkollat e vendit. “Vlen të theksohet se një shqetësim i jashtëzakonshëm vazhdon mbetet edhe degradimi ose prezenca e madhe e drogave sintetike në shkollat e Kosovës”, përfundoi Musliu. (A2 Televizion)