Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur certifikimin e subjekteve politike, bashkë me listat e kandidatëve të tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Gjatë periudhës për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës nga 1 shtator gjerë 11 dhjetor kanë aplikuar: 28 subjekte politike, prej tyre: 20 parti politike; 5 koalicione; 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1,280 kandidatë.
Drejtori i zyrës ligjore të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka prezantuar para anëtarëve, listën e kandidatëve të cilët kanë kaluar të gjitha hallkat e verifikimit në bazë të nenit 30 të ligjit për zgjedhjet.
Anëtari i KQZ-së nga AAK-ja Ibrahim Selmanaj, kërkoi që të hidhet shorti për renditjen e subjektve politike.
Ajo çfarë përbën shqetësim në këtë fazë për partitë në garë se edhe përkundër takimeve të shumta që kanë bërë me qytetarët jashtë Kosovës, numri i qytetarëve nga diaspora që kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, është i ulët.
Sipas KQZ-së nga 44,542 aplikime të aprovuara, 11,025 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 7,006 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 26,511 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë vendit. (A2 Televizion)