“S’ka integrim pa normalizim”, Lajçak pas takimit në Bruksel: Zbatoni marrëveshjen

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2024, 09:47 | Politikë

“S’ka integrim pa normalizim”, Lajçak pas takimit

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u ka kujtuar Prishtinës dhe Beogradit gjatë bisedimeve të së martës në Bruksel se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton integrim në BE, dhe se dy proceset janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin.

Lajçak ka thënë se me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, kanë diskutuar për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, teksa ka kërkuar shtensionim, përgjegjësi për sulmet e 2023-ës, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.

Deklaratat e Lajçak të bëra në llogarinë e tij në rrjetin social X, erdhën një ditë pasi Kosova dhe Serbia përmbyllën me sukses negociatat për zbatimin e Deklaratës së vitit 2023 për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Lajçak ka thënë se dakordimi për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit ishte “një hap i rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet”. Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos