“Aleatët e Rusisë në Maqedoni gati për revansh”, Nurellari: Serbia paguan 5 milionë euro për lobime në SHBA, Shqipëria dhe Kosova zero

Nga A2 CNN
18 Shtator 2026, 10:21 | Politikë

Politologu Adri Nurellari tha se vendimi për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka pasoja vetëm për ata si individë, por do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e shqiptarëve me popujt e tjerë të rajonit.

“Ndërkohë që po flisni, unë hapa Facebook-un dhe shikoni, kjo është faqja në Facebook e Levicës. Është partia ekstremiste e majtë në Maqedoninë e Veriut, e cila dihet që ka lidhje me Rusinë. Menjëherë është angazhuar dhe ka kërkuar që të rihapen çështjet për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Ka dalë me deklaratë dhe thotë që, tashmë që është njohur përgjegjësia kolektive, pra ndërmarrja e përbashkët kriminale”, tha Nurellari në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN. “Dhe duke qenë se ka pasur lidhje, ne duhet të riaktivizojmë, të heqim dorë nga ligji i amnistisë për luftën e Maqedonisë të vitit 2001 dhe ato çështje që na i refuzoi Tribunali për Krimet e Jugosllavisë, që janë katër çështje, një për Digën e Likovës, një për Ljubotenin, një për punëtorët e Mavrovës dhe një për udhëheqjen e UÇK-së. T’i rihapim, sepse theksojnë që, shikoni, këto janë çështje që nuk parashkruhen”.

“Pra, nuk është vetëm një fati i këtyre katër njerëzve. Është revansh. Menjëherë janë revanshuar në Maqedoninë e Veriut, sepse shikojnë një dobësi. Na shikojnë të braktisur nga Perëndimi, na shikojnë të dobët, na shikojnë të përçarë, na shikojnë të pafuqishëm për të mbrojtur veten, na shikojnë të paaftë për të bërë betejat historike dhe shikojnë si oportunitet për të na sulmuar. Menjëherë ka dalë kjo. Sot ka dalë kjo gjë. Partia ekstremiste me lidhje me Rusinë”, shtoi Nurellari.

“Pra, ne këtë aspekt duhet ta marrim seriozisht dhe një ndër dëmet kryesore është paaftësia jonë për të mbrojtur të vërtetat tona historike, kompleksi ynë, ose akoma më keq, gatishmëria për t’i shitur ato, për të shitur heshtjen në këmbim të mbështetjes së Perëndimit, në këmbim të llastimit ose, ose lajkatosjes, të servilosjes ndaj Perëndimit”.

Ish-këshilltari i Thaçit kur ai ishte President i Kosovës, tha gjithashtu se as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë asnjë lobim aktiv në Shtetet e Bashkuara. “Serbia ka tre të shtetit edhe gjashtë të ekosistemit biznes-shtetëror që kanë kompani publike-private, me një shumë të majme, mbi 5 milionë euro të deklaruara. E mora si shembull për të treguar neglizhencën tonë”, tha Nurellari në “Off the Record”.

“Kjo ndodh në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara është administrata më transaksionale, më e paparashikueshme. Kemi ndryshime dramatike në politikën e saj, që ka braktisur edhe qasje tradicionale ose një politikë të bazuar mbi parime. E pamë se si, në këmbim të një gazsjellësi, Dodikut iu hoq Non Grata. E kemi parë se si Beogradi, pavarësisht flirtimit që ka bërë me Rusinë, iu nis dialogu strategjik, ndërkohë që Kosova e ka të bllokuar. Ky është një ndër indikatorët për të treguar në çfarë pike të hallit jemi ne dhe kjo nënkupton që ofensiva ose kundërofensiva, ose, siç po e quajmë sot, kjo është një nivel mbrojtjeje. Kjo betejë kërkon mobilizimin e të gjitha burimeve që kemi ne, njerëzore, institucionale, financiare, por edhe të miqve, partnerëve dhe të diasporës, po ashtu. Sepse diaspora, për vite me radhë, është instrumentalizuar, është parë ose si një bankomat që fut para, remitanca, ose është parë si një hambar votash. Asnjëherë nuk është angazhuar për ta mobilizuar diasporën në këto kushte, në këto rrethana”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos