Ankesa e Listës Serbe për konstituimin e Kuvendit, a do të vendosë Kushtetuesja masë të përkohshme?

Nga A2 CNN
17 Tetor 2025, 07:09 | Politikë

Ankesa e Listës Serbe për konstituimin e Kuvendit, a do të

Gjykata Kushtetuese mund të vendosë masë të përkohshme për rrjedhjen e afatit për formimin e qeverisë së re, thotë avokati Ardian Bajraktari. Sipas tij, Kushtetuesja mund të marrë një vendim të tillë në ditët në vijim, pas ankesës së serishme të Listës Serbe për zgjedhjen e Nenad Rashiq nënkryetar i Kuvendit. Bajraktari deklaron se ankesa e Listës Serbe është brenda afatit kushtetues dhe se procedura e zgjedhjes së Rashiq është e kontestueshme.

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se kanë pranuar ankesën e Listës Serbe. Deputetët e Listës Serbe po pretendojnë se me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar nga komuniteti serb janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit, dhe një aktgjykim i mëparshëm i Kushtetueses.

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar. Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

Një ditë pas zgjedhjes së Rashiq, presidentja Vjosa Osmani, ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për formimin e qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese kishte trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit Dimal Basha e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

Kosova nuk ka formuar qeverinë e re edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Ndërkaq, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës kishte nisur më 15 prill, derisa u konstatua nga kryetari i zgjedhur Dimal Basha, i përmbyllur më 10 tetor. Kosovapress. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos