
Mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti e nisi fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili pritet të shpallet të mërkurën paradite.
“Sot të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit”, tha ai pasi uroi për konstituimin e Kuvendit.
Kurti tha se “kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse nuk është në përputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës sonë çlirimtare".
“Qëndrimi i qeverisë që unë e drejtoj është i njëjtë dhe i qartë. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Millosheviqit. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, tha ai. (A2 Televizion)