Serbia është e përgatitur të bëjë "kompromise shumë të vështira" me Kosovën. Kështu është shprehur Ministri serb për Çështjet Europiane, Nemanja Staroviç. Në një intervistë për Agjencinë Austriake të Lajmeve, APA, zyrtari i lartë serb tha se Beogradi dëshiron të "normalizojë plotësisht" marrëdhëniet e tij me Prishtinën.
“Beogradi është i gatshëm të angazhohet në dialog me Prishtinën. Por nuk mund të jetë një lojë me shumë zero në të cilën njëra palë humbet gjithçka në mënyrë që pala tjetër të fitojë gjithçka. Duhet të jetë një kompromis. Është një sfidë e madhe dhe ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë. Por jemi gjithashtu të vetëdijshëm se Bashkimi Evropian ka aplikuar gjithmonë zgjidhje praktike dhe krijuese kur vijmë tek raportet mes BE dhe Kosovë. Le të marrim si shembull Qipron e cila u bë anëtare e BE-së në vitin 2004 pavarësisht konfliktit të pazgjidhur mbi pjesën veriore të vendit të pushtuar nga Turqia”, tha Nemanja Staroviç.
Staroviç kritikoi Albin Kurtin për arrestimin e Igor Popoviçit, i cili sipas tij është në shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2012, e cila, u jep përfaqësuesve të autoriteteve serbe të drejtën për të vizituar Kosovën me njoftim paraprak. Ai akuzoi pa fakte kryeministrin në detyrë të Kosovës, se po zhvillonte politikë të brendshme në kurriz të komunitetit serb.
"Pasi humbi shumicën në zgjedhjet e fundit, ai është në detyrë vetëm për një mandat teknik dhe nuk mund t'i zbatojë premtimet e tij të fushatës në lidhje me ekonominë apo luftën kundër korrupsionit. E vetmja gjë që ai mund t'u ofrojë votuesve të tij është shtypja e komunitetit serb në Kosovë", u shpreh Nemanja Staroviç.
Zëvendëskryetari i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Beograd u arrestua ndërsa merrte pjesë në një ceremoni përkujtimore për masakrën e serbëve të Kosovës dhe tani përballet me deri në tetë vjet burg. (A2 Televizion)