Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me drejtorin për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare amerikane, ambasadorin Michael Carpenter, tha se Serbia nuk është e gatshme për normalizim të raporteve me Kosovën.
Bislimi tha se tregues për këtë mosgatishmëri të Serbisë për normalizim dhe fqinjësi të mirë është sulmi i 29 nëntorit ndaj kanalit të Ibër Lepencit.
Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe i cili është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Prishtina e bën fajtor Beogradin. Por, Serbia ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do ta hetojë këtë rast. (A2 Televizion)