Bllokada në Kuvend: Hyjmë në krizë nëse nuk ka konstituim deri në fund prillit

Nga Rosalba Bejdo
18 Prill 2025, 20:18 | Politikë

Kosova rrezikon të futet në një ngërç politik nëse deputetët e zgjedhur nuk arrijnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës deri në fund të muajit prill.

Kështu thotë për Kosova Press studiuesi Naim Jakaj. Sipas tij, mund të përsëritet problemi i vitit 2014, periudha kur vendi pati hyrë në një bllokadë politike për 6 muaj.

“Seanca konstituive është thirrur me datën 15 prill. Kjo është thirrur edhe brenda afatit kushtetues, brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të zgjedhjeve parlamentare, që i bie se data e fundit që do të duhej Kuvendi ta përmbyllte një proces të tillë, do të ishte data 27 prill. Deri në këtë kohë, është e arsyeshme që Kuvendi të konstituohet dhe ta përfundojë procesin e konstituimit, edhe pse data 15 prill ka qenë datë që do të duhej të kryhej. Por, ta marrim si shembull datën e fundit 30 prill. Pas kësaj date, Kuvendi dhe Kosova hyjnë në një ngërç politik që nuk dihet se si do të përfundojë. Mosvotimi i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikim të kuorumit dhe mandateve i bie që është rrugë e patejkalueshme për të ardhur deri te betimi i deputetëve", u shpreh Jakaj, përcjell A2.

Dy përpjekje të mëparshme për konstituimin e Kuvendit dështuan, teksa partitë që deri më tani ishin në opozitë insistojnë që anëtarët e qeverisë në detyrë të japin dorëheqje formale para se të betohen si deputetë. Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kjo nuk është e nevojshme.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, ftoi për konsultë partitë politike të enjten dhe më pas e ndërpreu seancën duke thënë se “nuk pati konsensus” se si të vazhdohet tutje. Jakaj thekson se kryesuesi i seancës nuk e ka për detyrë të thërrasë seancë konsultative jashtë sallës plenare dhe se pati shkelje të procedurave.

“Kryesuesi i seancës nuk e ka për detyrë të thërrasë seancë konsultative jashtë sallës plenare për çështje që lidhen me konstituimin e Kuvendit. Ka një raport të komisionit të përkohshëm që ka dështuar. Do të duhej që të hidhej në votim i njëjti raport sërish prej të njëjtit komision të përkohshëm dhe të shkohet më tutje. Njëjtë si në vitin 2014, kur ka pasur probleme të konstituimit të Kuvendit, periudha kohore e këtij ngërçi ka pas shkuar deri në 6 muaj. Një situatë e tillë, mund të na përsëritet prapë. Tash mund të ndodhë edhe me muaj më shumë se ajo periudhë në vitin 2014. Sepse atë kohë kemi pasur një vendim i cili është prodhuar, nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Tanimë, nuk ka një vendim se çka të dërgohet, rrjedhimisht nuk do të ketë mundësi që të procedohet, të vlerësohet kushtetutshmëria ose ligjshmëria e një vendimi të tillë", theksoi Jakaj.

PDK, LDK dhe AAK kritikuan Lëvizjen Vetëvendosje për dështimin e seancës, që, sipas tyre, po bëhet për “pazare politike”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos