Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një intervistë ekskluzive për “Ditari Kosova” në A2 CNN, sqaroi nëse Bullgaria do i bashkohet apo jo paktit ushtarak Shqipëri-Kosovë-Kroaci.
“Ne i kemi lënë mundësitë e hapura vendeve me të cilat ndajmë vlera të përbashkëta dhe interesa të përbashkëta. Është mundësia që edhe Bullgaria t’i bashkëngjitet kësaj marrëveshjeje trilaterale. Sot ishte një lajm nga Bullgaria që ndoshta nuk është e gatshme në këtë moment, edhe pse ata theksojnë gjithmonë që do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin me secilin nga këto 3 vende veç e veç”, tha Maqedonci.
“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë të mirëseardhura”, shtoi ministri i Mbrojtjes.
Në lidhje me formimin e qeverisë së re, fazë e cila ka hyrë në krizë, Maqedonci u shpreh: “Zgjedhjet e kanë nxjerrë shumë qartë partinë fituese. Duke qenë parti fituese, Vetëvendosja do e drejtojë qeverinë e ardhshme të Kosovës”. (A2 Televizion)