Shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Europian mbështesin heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Kështu raporton Radio Televizioni i Kosovës duke cituar burime diplomatike në Bruksel. Por i vetmi dallim në qëndrime, theksojnë burimet e RTK-së, ka të bëjë me mënyrën se si duhet të shkohet drejt heqjes së sanksioneve.
Këto masa janë vendosur nga BE-ja kundër Kosovës në qershor të vitit të kaluar pas skenave të dhunës në veri, pas marrjes së detyrës nga kryetarët shqiptarë në katër komuna.
Mundësia e heqjes së masave, që ka penguar Kosovën të përfitojë miliona euro investime nga BE-ja, është diskutuar gjatë takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare gjatë kësaj jave. Të pranishëm në tryezë kanë qenë ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak dhe shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë.
RTK raporton se shtetet anëtare janë të ndarë në dy grupe: ato që konsiderojnë së masat duhet të hiqen menjëherë, dhe grupi tjetër i shteteve të cilat janë të mendimit se masat duhet të hiqen gradualisht, nëse Kosova vazhdon të tregojë përpjekje për qetësim të situatës.
Në grupin e dytë, sipas burimeve të RTK-së, bëjnë pjesë shtetet më të fuqishme të BE-së, siç janë Gjermania Franca e Italia. Përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, i është kërkuar që të përpilojë një raport për përmbushjen ose jo të kërkesave të BE-së ndaj Kosovës, dhe më pas do të vlerësohet heqja e masave.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kërkuan nga Brukseli heqjen e masave pas organizimit të referendumit në veri për shkarkimin ose jo të kryetarëve të katër komunave veriore, pasi e konsideruan si hallkën e fundit të përmbushjes së kushteve të vendosura për heqjen e masave ndëshkuese. (A2 Televizion)