Dështon për të 12-ën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Nga A2 CNN
7 Maj 2025, 10:39 | Politikë

Dështon për të 12-ën herë konstituimi i Kuvendit

Ka dështuar edhe në përpjekjen e dymbëdhjetë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK që janë kundër votimit të fshehtë, nuk morën pjesë në votimin për ngritjen e komisionit për votim te fshehtë.

Për Albulena Haxhiun këtë herë votuan 56 deputetë, 1 votë shkoi kundër dhe nga salla nuk pati asnjë abstenim.

Seanca është ndërprerë pas votimit të dështuar dhe përpjekja e radhës për konstituimin do të zhvillohet më 9 maj, në ora 10:00.

Partitë politike nuk po arrijnë marrëveshje dhe procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe opozitës, lidhur me emrin e kryetarit të Kuvendit.

Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, një emër që partitë opozitare e kundërshtojnë fuqishëm, duke e cilësuar si “përçarëse”.

Në tri seancat e fundit, Vetëvendosje kishte tentuar të ndryshonte procedurën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar që ai të bëhet me votim të fshehtë. Megjithatë, ky propozim është kundërshtuar ashpër nga PDK, LDK dhe AAK.

Për të zhbllokuar situatën, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i dërgoi një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i ‘shtrirë dorën’ për bashkëpunim dhe duke propozuar hyrjen në një koalicion qeverisës.

Ndërkaq, Abdixhiku iu përgjigj Kurtit pas 24 orësh përmes një letre, në të cilën propozoi formimin e një qeverie tranzitore me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos