Sot tentativa e 12-të për kostituimin e Kuvendit të Kosovës, VV këmbëngul në votim të fshehtë për Albulena Haxhiun

Nga A2 CNN
7 Maj 2025, 08:57 | Politikë

Sot tentativa e 12-të për kostituimin e Kuvendit të Kosovës,

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në ora 10:00, në përpjekjen e dymbëdhjetë për konstituimin e institucionit ligjvënës.

Partitë politike nuk po arrijnë marrëveshje, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe opozitës, lidhur me emrin e kryetarit të Kuvendit. Kjo situatë ka bërë që 11 seanca të mëparshme të dështojnë.

Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, një emër që partitë opozitare e kundërshtojnë fuqishëm, duke e cilësuar si “përçarëse”.

Në tri seancat e fundit, Vetëvendosje ka tentuar të ndryshojë procedurën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar që ai të bëhet me votim të fshehtë. Megjithatë, ky propozim është kundërshtuar ashpër nga PDK, LDK dhe AAK.

Për të zhbllokuar situatën, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i ‘shtrirë dorën’ për bashkëpunim dhe duke propozuar hyrjen në një koalicion qeverisës.

Ndërkaq, Abdixhiku i është përgjigjur Kurtit gjatë ditës së djeshme përmes një letre, në të cilën propozon formimin e një qeverie tradicionale me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në vend.

Mbetet të shihet sot nëse Kuvendi do të konstituohet në seancën e sotme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos