Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thanë se kishin biseduar për emra konkretë për presidentin e ri në takimin e zhvilluar të mërkurën. Kjo ishte përpjekja e radhës për të zgjidhur krizën politike dhe për të arritur një marrëveshje për kreun e ri të shtetit.
Pas takimit, i cili zgjati dy orë, Kurti tha se mirëbesimi mes palëve ishte rritur, por nuk zbuloi emra.
“Diskutimi ishte i hapur, i sinqertë, serioz. Do të vazhdojnë bisedimet, për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm. Pra, atyre kritereve dhe parimeve udhëzuese për të cilat jemi dakorduar herën e kaluar, lidhur me vlerat, meritat dhe kontributin kombëtar, shtetëror, profesional e qytetar të personaliteteve, figurave të ndryshme të shoqërisë e të vendit tonë, ua kemi bashkëngjitur edhe emrat konkretë, të cilët i kemi diskutuar, dhe ky është një hap i rëndësishëm përpara”, tha Kurti.
Kurti shtoi më tej se do të jenë plotësisht transparentë për këtë proces të negociatave me LDK-në, por, nga ana tjetër, duhet të mbrojnë konfidencialitetin e bisedimeve.
“Nuk janë emra të cilëve ne u kemi pyetur paraprakisht se a do të pranonin apo se a dëshironin që të jenë president ose presidente të Republikës, sepse paraprakisht duhet të dakordohemi ndërmjet vete”, tha Kurti.
Kreu i LDK-së, Abdixhiku, deklaroi pas takimit se emrat e diskutuar në takim ishin në përputhje me parimet e secilës palë.
Abdixhiku ka theksuar se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë që gëzon besueshmëri dhe që i përshtatet përgjegjësisë institucionale dhe shtetërore që bart ky post.
Takimi mes tyre vjen disa orë pasi zyrtari i LVV-së, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, tha se partia i ka emrat për presidentin, por nuk pranoi t’i zbulonte. (A2 Televizion)