
Deputetë dhe aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës dolën sërish pranë kryeministrisë për të protestuar.
Aty iu bashkua dhe një grup studentësh nga Universiteti i Prishtinës, ndërsa të gjithë së bashku kërkuan zbllokimin e institucioneve dhe thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të kuvendit.
Sërish nuk patën sukses në ballafaqimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por në drejtim të tij lëshuan një valë akuzash.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se kjo qeveria ka ofruar për studentët vetëm largimin nga Kosova.
Përparim Gruda, deputet i PDK: “Dikush që në vitin 2020 kur ka fituar Albin Kurti ka qenë nxënës, sot mund të jetë i diplomuar në universitet edhe pret të gjejë një vend pune. Në fakt e vetmja gjë që ju ka ofruar mbasi ka diplomuar është largimi prej Kosovës. 300 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovën për 5 vjet. Ky nuk është migrim, kjo nuk është lëvizje e njerëzve, kjo është zhvendosje masive e njerëzve prej Kosovës. Dhe kjo ndodh sepse përveç qeverisjes, sot është përmbysur rendi kushtetues. Si mund të presë një i ri që ka ardhur sot me neve këtu që të bëhet diçka për të, për familjen e tij, për prindërit e tij, për një vend pune që kërkon pas diplomimit kur organi kryesor i vendit mbahet i bllokuar.”
Albana Butyqi, deputete e Aleancës: “Abuzimi me shtetin po vazhdon, bllokada me shtetin po vazhdon. Ajo çka është e rëndësishme që ne jemi betuar si deputetë për ta mbrojtur kushtetutën dhe gjithmonë do të jemi në mbrojtje të kushtetutës. Andaj nuk do të ndalemi derisa institucionet të formohen, qeveria të formohet dhe të vazhdojmë punën e të mos bllokohemi. Andaj ftoj edhe një herë zotin Kurti që të vjen në Kuvend, të formojë institucionet dhe të vazhdojmë punën tutje.”
Granit Spahiu, student: “Kërkojmë që Kuvendi të konstituohet dhe të fillohet puna. Por nëse dikush mendon se studentët do të qëndrojnë pafundësisht të mbyllur në bankat e tyre dhe të shohin se si shteti i tyre mbetet peng, ata nuk e kanë kuptuar studentin e Kosovës.” (A2 Televizion)