Grupi i intelektualëve të zhdukur, Kurti: Në Zubin Potok u gjetën eshtrat e 23 personave

Nga A2 CNN
24 Gusht 2026, 15:36 | Politikë

Në varret masive në Kalludër të Vogël dhe Janukë të Zubin Potokut janë gjetur eshtrat e 23 personave, të cilët dyshohet se janë me një grup intelektualesh të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Këtë e bëri të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në prezantimin e raportit përmbledhës të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për gërmimet në Komunën e Zubin Potokut. Shefi i qeverisë në detyrë tha se tashmë ka nisur faza e identifikimit të mbetjeve mortore pasi janë dërguar për analiza të ADN-së.

“Në varrin masiv ndërmjet Kalludrës së madhe dhe të vogël, sipas vlerësimeve të ekspertëve, mbetjet mortore të gjetura dhe të zhvarrosura u përkasin së paku 13 personave. Në varrin masiv në Jabukë, përkatësisht në lokacionin e dytë, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku katër personave. Dhe në lokacionin e tretë, përkatësisht varrin tjetër masiv në Kalludër, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore të së paku gjashtë personave”, tha Kurti, shkruan A2.  

Ai tha se numri 23 përkon me grupin e intelektualëve, që më 19 prill 1999 u ndaluan, rrëmbyen dhe, sipas tij, u pushkatuan nga forcat e Serbisë: “Por, procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë. Andaj, vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe bashkë me familjet t'u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër. Është e papërshkrueshme, e dhimbshme pritja kaq e gjatë dhe ankthi i përjetuar nga familjarët e të zhdukurve me dhunë. Secili gërmim e secila informatë për një të tillë të mundshëm, secili lokacion e secili emër. Qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por kërkojnë edhe drejtësi”.

E kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani tha se në këtë zonë ishin bërë kërkime edhe më herët, por nuk kishin rezultuar të sukesshme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos