
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, një ditë pasi dështoi ta fitojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për mandatin e tretë.
“Siç e pamë dje, nuk ka rrugë apo mënyrë tjetër, përveç se drejt zgjedhjeve të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë”, tha Kurti në një konferencë për media në Prishtinë.
Vetëm 56 deputetë votuan për kabinetin e propozuar nga Kurti në seancën e së dielës, pra pesë më pak se 61 votat e nevojshme. Pesëdhjetë e dy votuan kundër, ndërsa katër abstenuan.
Tani, sipas Kushtetutës së Kosovës, i takon presidentes Vjosa Osmani ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e Qeverisë brenda 10 ditësh.
Por, lideri i partisë së dytë më të votuar, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin, hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja e Kosovës do ta thërrasë për ta pyetur nëse e ka shumicën.
Njohësit e zhvillimeve politike thonë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mund të sillnin ndryshime në rezultatet e partive, por ato ndryshime nuk do të ishin të mjaftueshme, aq sa partitë të shmangnin nevojën për bashkëqeverisje në të ardhmen. (A2 Televizion)
