
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit për të marrë votat e nevojshme për formimin e kabinetit të ri qeveritar në seancën e së dielës të Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Kurti falënderoi deputetët që e mbështetën dhe qytetarët për përkrahjen, duke theksuar se pavarësisht rezultatit, qeveria do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e saj deri në zgjedhjet e reja parlamentare, shkruan A2.
“Falënderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin për, 52 kundër dhe 4 abstenime, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë, vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”, shkruan Kurti në rrjetin social.
Tashmë, Presidentja Vjosa Osmani pritet të thërrasë partitë politike për konsultime brenda afateve kushtetuese. (A2 Televizion)
