Bie "Kurti 3!" Kuvendi nuk mandaton krijimin e qeverisë në Kosovë

Nga Erjon Dervishi
26 Tetor 2025, 14:06 | Politikë

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti. Votimi i kryer në mënyrë elektronike, nuk ka siguruar shumicën parlamentare të nevojshme. Në votim kanë marrë pjesë 108 deputetë. Si rezultat partitë politike mund të përballen me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa disa procese të rëndësishme si miratimi i Buxhetit dhe funksionimi i institucioneve mbeten të pazgjidhura. Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 absentime, Albin Kurti nuk arriti që të siguronte mandatin e tretë si Kryeministër.

Kurti para votimit ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë për qeverinë e re, duke shikuar interesin shtetëror dhe jo atë partiak. Ai para deputetëve ka thënë se votimi për qeverinë e re, sot është një akt për shërbimin ndaj vendit dhe jo thjesht si një formalitet politik. Kurti tha se po të pranohej oferta për bashkëqeverisje, sot do t’i propozohej Kuvendit një qeveri e re e koalicionit. Sipas tij, vota e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit, kishte përcaktuar se duhet të ketë një koalicion qeverisës, mirëpo partitë parlamentare nuk kishin gatishmëri për një gjë të tillë.

“Në këto gjashtë muaj, përpjekjet për formimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme dhe shtetërore. Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave iu bë ftesë nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar se duhet të kishte një koalicion qeverisës. Po të pranohej oferta për bashkëpunim, sot do të kishim mundësi t’i jepnim vendit qeverinë e re të koalicionit, por do t’i kishim edhe numrat e nevojshëm për sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajsh. Sidoqoftë, si pasojë e mosgatishmërisë nga partitë parlamentare për të marrë përgjegjësinë që ‘iu ka deleguar qytetari me votë’, sot ndodhemi para një situate ku qeveria e re propozohet për votim jo si produkt i një koalicioni politik, por si akt i një shërbimi ndaj vendit. Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e qeverisë së re, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja pa shumë institucione funksionale dhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të thotë rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale dhe funksionimin e organeve të rendit dhe sigurisë...Ftoj deputetët që të votojnë jo thjesht sipas interesit partiak, por për interes publik dhe shtetëror, që t’i japim vendit qeverinë e re të prodhuar nga rezultati zgjedhor i 9 shkurtit dhe t’u mundësojmë institucioneve vijimësi për ta votuar qeverinë e ardhshme,” tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se nuk do të bëjnë debat në seancën e jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re.

“LDK nuk sheh arsye për debat. LDK nuk do të bëjë debat dhe nuk do të dëgjojë fare asnjë debat. Na keni thënë se i keni numrat i keni. Na keni bllokuar për tetë muaj një shtet të tërë. Urdhëroni mateni vetën me numra demokratik nga kjo legjislaturë. Çdo arsyetim tjetër është dërgesë drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme që si duket po shkojmë”, tha ai.

Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se votimi në seancën e së dielës ka dëshmuar që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pasur votat e nevojshme për të formuar një Qeveri të re, edhe pse këtë gjë e kishte thënë vazhdimisht.

Kur partitë nuk arrinin të pajtoheshin për postin e kryetarit të Kuvendit, përfaqësues të LVV-së thonin se ata s’kishin numra për këtë post, por kishin votat e nevojshme për Qeveri të re.

“U vërtetua ajo që e kemi ditur që nga fillimi që LVV-ja, edhe pse fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk i ka numrat për të formuar Qeverinë e re”, tha Bajrami. Ajo shtoi se “ajo që ndodhi sot është që ne po shkojmë drejt procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

Ndërkohë Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë pas seancës se është vërtetuar që “Abin Kurti po e mban vendin peng”.

“Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit tonë këta muaj i ka kushtuar edhe me izolimin, edhe me përçarje, edhe me humbje kohe. Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Nuk do të jetë më”.

Ai ka thënë se secila qeverisje e re pa Kurtin do të jetë e mirë për Kosovën.

Krasniqi ka thënë se nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta thërrasë për ta pyetur nëse e ka shumicën për Qeverinë e re, ai do t’i thotë thjesht “jo”, sepse nuk duhet pasur më shumë vonesa dhe që Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos