Dronë e municion “Made in Kosova”, hidhen hapat e parë drejt industrisë ushtarake

Nga Ideal Gola
27 Nëntor 2024, 20:10 | Politikë

Kosova ka hedhur hapat e parë në drejtim të ngritjes së industrisë ushtarake. Kryeministri Albin Kurti firmosi vendimin për themelimin e komisionit ndërministror me qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municioneve dhe për laborator mbi dizajnimin e dronëve.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se tashmë ka dëshmuar në vazhdimësi se mbrojtja ka qenë ndër prioritetet kryesore të udhëheqjes së tij: “Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Andaj, ne sot hedhim hapat tonë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”. 

Komisioni do të udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ai i Financave, Hekuran Murati, ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Maqedonci tha se prodhimi i municionit do të bëhet sipas standardeve të NATO-s: “Sot, më shumë se kurrë, jo vetëm vendi ynë, por të gjithë partnerët tanë, por edhe në botën në tërësi, ka nevojë për plotësimin e stoqeve të municioneve të armëve, por gjithashtu edhe për krijimin e rezervave duke pasur parasysh gjendjen aktuale të sigurisë”. 

Pas sulmit ndaj stacionit të Policisë së Kosovës në Zveçan me dy granata që dyshohen të jenë prodhim jugosllav, Maqedonci tha se FSK është e gatshme të mbrojë vendin nga çfarëdo kërcënimi, mirëpo shtoi se kjo bëhet edhe në koordinim me KFOR-in kur janë të përfshira komunat veriore: “Përfshirjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në katër komuna veriore ne e bëjmë pas një koordinimi paraprak me KFOR-in, një zotim i vitit 2013 që ne jemi duke vazhduar ta respektojmë dhe ne do të jemi të gatshëm për t’u përgjigjur para çdo sfide dhe kërcënimi, gjithmonë në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët tanë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos