Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, qëndroi për disa orë në Prishtinë ku takua me zëvendëskryeministrin në detyrë Besnik Bislimi. Aty u diskutua për zbatimin e marrëveshjeve teknike dhe diskutimet për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
Emisari i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen qëndroi në një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë.
Ai takoi zëvendëskryeministrin në detyrë Besnik Bislimi ndërsa pas saj nuk dha hollësi mbi atë se çfarë është diskutuar.
“Jam ne Prishtinë me stafin në kuadër të angazhimeve si emisar i dialogut, bashkë me stafin tim. Pas Prishtinës do të shkojë në Beograd. Është një vizitë normale, jam i lumtur që jam këtu. Do të vazhdoj në Beograd dhe pastaj në Bruksel. Jemi duke punuar, kaq”, tha Sorensen.
Nga zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi thanë se është diskutuar për çështjet në kuadër të dialogut.
“Biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik, e më tej u theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut”, deklaroi zv.kryeministri
Paraprakisht, Sorensen është takuar edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani për të cilën është biseduar për situatën e sigurisë.
Sipas njoftimit të lëshuar nga KFOR, gjenerali Barduani vuri në dukje përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, në funksion të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe të stabilitetit rajonal.
“Komandanti Barduani theksoi përpjekjet e KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe mbështetjen ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në të cilin KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në koordinim të vazhdueshëm”
Kjo ishte vizita e dytë e Sorensen në Kosovë që kur mori detyrën si emisar për dialogun. (A2 Televizion)
Emisari i BE në Prishtinë, Sorensen erdhi “për zbatimin e marrëveshjeve”
