Enver Hoxhaj kërkon shtyrjen e Konventës së PDK-së

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2025, 11:06 | Politikë

Enver Hoxhaj kërkon shtyrjen e Konventës së PDK-së

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar sot zyrtarisht shtyrjen e Konventës së partisë, e cila pritet të zgjedhë kryetarin e ri të PDK-së. Sipas tij, mbajtja e një konvente të tillë në një afat kaq të shkurtër është e papërgjegjshme për një parti serioze dhe dëmton cilësinë e procesit zgjedhor.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Hoxhaj ka propozuar që Konventa të shtyhet të paktën deri të dielën e ardhshme, me arsyetimin se anëtarësia dhe delegatët duhet të kenë kohë të mjaftueshme për t’u njohur me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë.

Ai theksoi se ngutia aktuale “nuk garanton garë cilësore, reformim apo unitet”, duke shtuar se zhvillimet e fundit në parti kanë qenë të papritura. Sipas tij, më shumë se një kandidaturë është e domosdoshme për një proces konkurrues e demokratik.

“Kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në”, shkruan Hoxhaj.

Hoxhaj kritikoi gjithashtu mënyrën se si ka ardhur dorëheqja e kryetarit dhe preferencat e shprehura për pasuesin, duke e quajtur këtë një “përshtypje të skemave të sajuara e të paragjykuara që nuk e çojnë partinë përpara”.

“PDK ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh,” tha ai, duke nënvizuar kundërshtimin ndaj çdo presioni apo imponimi në procesin zgjedhor.

Rrjedhimisht, Hoxhaj kërkoi hapjen e garës për të gjithë dhe garantimin e kohës së duhur për delegatët që të shprehin vullnetin e tyre pa presion.

Nënkryetari aktual i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka shpallur dje zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e kryetarit të partisë.

Kandidatura e Hamzës vjen pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga kryetari i PDK-së, një ditë më parë. Më 17 nëntor është paralajmëruar të mbahet Konventa e jashtëzakonshme e PDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Bedri Hamza, ka qenë kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe kryetar i Mitrovicës në mandatin e fundit./Kosovapress/ (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos