“Sulmet terroriste mund të përsëriten”, Zeqiri: Situata në Zubin Potok është nën kontroll

Nga A2 CNN
6 Janar 2025, 20:19 | Politikë

Sulme të ngjashme me atë të Iber Lepencit në Zubin Potok mund të përsëriten. Kështu thotë numri një i kësaj komune, Izmir Zeqiri, në një intervistë për “Kosova Press”. Megjithatë, ai vlerëson se situata aktualisht është nën kontroll dhe e qetë. 

“Tash, sa i përket grupeve ose individëve që mund të bëjnë sërish veprime të tilla, unë nuk e shoh të pamundur, sepse ndodhin nëpër të gjitha shtetet e konsoliduara. Sa i përket sigurisë, mendoj se gjithçka është nën kontroll, edhe pse ekipet e sigurisë akoma hulumtojnë ndërlidhjet me rastin që ka ndodhur (në kanalin Ibër-Lepenc), kështu që situata është nën kontroll. Besoj se është një relaksim i situatës edhe sa i përket qytetarëve, do të thotë jetohet lirshëm, qarkullohet lirshëm dhe punohet lirshëm”, deklaroi Zeqiri. 

Sa i përket bashkëpunimit me nivelin qendror, Zeqiri thotë se nuk ka ankesa të theksuara në këtë drejtim, teksa asnjëherë nuk ka kërkuar mbrojtje të posaçme për sigurinë e tij: “Sa i përket qeverisë dhe ministrive nuk mund të them se kam ndonjë ankesë të theksuar. Ani pse telashet te ne janë të mëdha, derën hapur e kemi te secila ministri. Nuk kemi diçka të themi se jemi të anashkaluar, kemi premtime shumë, ndoshta realizime më pak. Jo, nuk kam kërkuar dhe nuk kam mbrojtje të afërt. Nuk do të dëshiroja të vijmë në situata kur mua më duhet të mobilizoj forca rreth vetes për ta kryer detyrën time kushtetuese si një shërbyes ndaj qytetarit”.

Kryetari i Zubin Potokut thotë se qytetarët duhet të ndihen krenarë me infrastrukturën ligjore që ofron shteti i Kosovës për të gjithë, pa asnjë dallim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos