Edhe pse për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës nuk janë vendosur kushte, BE duket se do ta përdorë çështjen si kartë presioni për themelimin e asociacionit. Këtë e vwrteton lëvizja e fundit e presidentit francez Emanuel Macron, i cili gjatë një telefonate me kryeministrin Albin Kurti, theksoi rëndësinë e përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm drejt themelimit të Asociacionit në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
Në njoftimin e presidencës franceze thuhet se Macron, përsëriti “mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës”. Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun me Serbinë dhe mbështetjen për ndërmjetësimin evropian, si dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Presidenti francez, thuhet në njoftim, ka përshëndetur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit ndërsa ka shprehur keqardhjen për dështimin e votimit përlargimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.
“Organizimi i zgjedhjeve të reja sa më shpejt është i domosdoshëm, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”, thuhet në deklaratë.
Javën e kaluar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i hapi Kosovës rrugën e anëtarësimit në këtë organizatë, fjalën përfundimtare për të cilin duhet ta jap Këshilli i ministrave në 16 maj.
(A2 Televizion)