
Pavarësisht se ishin pak metra më tutje, deputetët e opozitës nuk shkuan në presidencë për takimin e thirrur, por vendosën që të manifestonin.
Ashtu si në ditët e kaluara, anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës u përpoqën të bllokonin hyrjen në kryeministri për Albin Kurti, por sërish pa mundur që të ballafaqoheshin.
Më pas iu bashkangjitën deputetët e Aleancës dhe zhvendosën aktivizimin e tyre në godinën e kuvendit.
Brenda sallës ku duhej të mbahej vazhdimi i seancës konstituive, kërkuan zhbllokimin e institucioneve. Gjuhë të ashpër dhe akuza të forta lëshuan në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Besa Kabashi Ramaj, deputete e PDK: “Edhe sot nuk është thirrur seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Koosvës, edhe sot Kosova vazhdon pa institucione të konstituara dhe kjo duhet të na alarmojë të gjithëve. Ne jemi zgjedhur për të punuar, por si deputetë në vend që të jemi në seancë duke u marrë me problemet e juaja qytetarë, jemi duke kërkuar që shteti të funksionojë së pari.”
Besnik Tahiri, deputet i Aleancës: “Ne e kemi një kërkesë të thjeshtë: vepro dhe deklarohu për gjashtë pikat tona. Zotëri Kurti, përveç votave të tij dhe partnerëve, i ka edhe votat e Aleancës, por nuk do të dëshironte me zgjedh presidentin. Kurti po mendon se na lodhemi, por nuk e kemi plan me u lodh, pasi kemi besim. Në logjikën e tij se ne gjunjëzohemi, por nuk e kemi plan të gjunjëzohemi. Në logjikën e tij se ai, duke marrë kohë, na vendos para një akti të presionit për zgjedhje më 27 dhjetor, ku ai po mendon se fiton. 27 dhjetori do të jetë humbja më e madhe e tij që ndonjëherë e ka pasur.”
Vlora Çitaku, deputete e PDK: “Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e qartë dhe konsistente në qëndrimet e saj. Në një demokraci parlamentare, dialogu dhe debati, pajtimet, mospajtimet politike janë normale. Por çfarë nuk është normale në një demokraci parlamentare, liberale, evropiane, është shkelja e Kushtetutës. Shkelja e Kushtetutës nuk guxon të shndërrohet në normë, në normalitet. Marrëveshjet politike mes partive politike, palëve të ndryshme nuk i mbivendosën Kushtetutës. Kushtetuta është mbi çdo parti, mbi çdo takim, mbi çdo liderë. E Kushtetuta kërkon nga ne të zgjedhurit e popullit që të konstituojnë Kuvendin dhe të themelojnë institucionet”
(A2 Televizion)