Nga Fadil Maloku
Fillimisht duhet theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është vetëm një interpretim juridik i Kushtetutës, por njëkohësisht përbën edhe një ndërhyrje sociopolitike, e cila si imperativ dhe qëllim ka funksionimin sociologjik të tërë ngrehinës së sistemit politik të Kosovës. Nga ky këndvështrim, ky vendim, i parë përmes “llupës” së inxhinierisë së sociologjisë së njohjes, dëshmon në mënyrë shumë më të qartë dhe më të vendosur jo vetëm parametrat dhe kufijtë e legjitimitetit, por edhe mënyrën dhe procedurat e përzgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit nga aktorët politikë dhe përfaqësuesit e zgjedhur nga qytetarët.
Në planin afatgjatë, ky vendim pa dyshim ofron argumente të qarta juridike për nevojën dhe “detyrimin” e subjekteve politike që të përvetësojnë përfundimisht kulturën e kompromisit — jo si shenjë dobësie, por si një angazhim dhe vullnet i lirë që hap rrugën për tejkalimin e bllokadave dhe ngërçeve të mundshme në të ardhmen. Po ashtu, ky synim i Gjykatës Kushtetuese, i “mbështjellë” dhe i arsyetuar në mënyrë taksative përmes dispozitës mbi votimin e hapur, përveçse rrit transparencën dhe vigjilencën ndaj deputetëve të kapur nga “kthetrat” partiake duke i vendosur ata nën trysni publike, i mundëson elektoratit të kuptojë qartë “kush, për kë voton” dhe e redukton dukshëm hapësirën për marrëveshje të fshehta apo “pazare” politike mes subjekteve dhe deputetëve.
Megjithatë, nga një perspektivë sociologjike, ky vendim do të duhej të kishte marrë në konsideratë edhe rrethanat polarizuese dhe tensionet e akumuluara, të cilat kanë prodhuar e ende prodhojnë efekte negative në shoqëri. Duke marrë parasysh këto elemente shtesë, kuptohet se një Vendim i tillë:
1. I vendos deputetët nën “prangat” e disiplinës së liderit dhe të partisë, duke ua cenuar kështu hapur lirinë e votimit dhe duke i ekspozuar ndaj çdo forme ndëshkimi apo anatemimi politik;
2. I fut ata në kalkulime personale, duke i detyruar të mendojnë më thellë për pasojat e mundshme të ndëshkimit dhe shpërblimit elektoral;
3. I ekspozon publikisht ndaj rrezikut të stigmatizimit dhe urrejtjes, në rast se nuk votojnë sipas pritjeve dhe premtimeve të dhëna gjatë fushatës;’
Në një demokraci të brishtë si e jona, votimi i hapur u pamundëson deputetëve “ruajtjen e fytyrës” para publikut, ndërsa votimi i fshehtë ua mbron atë me fanatizëm. Kjo dilemë “hamletiane” e deputetëve na rikujton teorinë weberiane, sipas së cilës legjitimiteti i “vis maior”-it (Gjykatës Kushtetuese) ka jo vetëm detyrimin moral, por edhe detyrimin ligjor që duhet t’i nënshtrohet pa hamendje autoritetit formal-racional — një autoritet që nuk bazohet në kalkulime iracionale, por në rregulla të qarta dhe të zbatueshme njësoj për të gjithë, pa dallim gjinie, moshe, etnie, feje apo race.
Prandaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi procedurën e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit është edhe një shembull tipik i ndërthurjes së dimensionit juridik me atë sociologjik të funksionimit institucional. Si i tillë ai synon të balancojë nevojën për transparencë dhe llogaridhënie me kërkesën për stabilitet dhe funksionalitet parlamentar. Suma sumarum, ky vendim përfaqëson një përpjekje juridike për të konsoliduar legjitimitetin formal-racional të institucioneve në Kosovë, duke vendosur rregulla të qarta që vlejnë për të gjithë. Megjithatë, suksesi i tij varet shumë edhe nga ekzistenca e një përvoje e kulture politike — e cila (duhet pranuar)na mungon si shoqëri — që arrinë ta kuptoj kompromisin si vlerë e jo si dështim, dhe që mbron deputetët nga presionet e tepruara, qofshin ato nga partia apo elektorati që i ka votuar .Mos të harrojmë: shoqëria jonë ende operon në hapësirën publike me norma dhe rregulla kanunore… (A2 Televizion)