Gjatë debatit tri orësh me deputetët e Parlamentit Europian, Kaja Kallas, që pritet të zërë vendin e Borrell si Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e përmendi vetëm një herë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë kur u pyet për situatën në Bosnje.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se me luftën në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, Ballkani Perëndimor nuk është në krye të agjendës së shefes së re të politikës së jashtme të BE-së, por as nuk do të injorohet si rajon.
“Duhet të shpresojmë që ajo do të gjejë një mes të artë ku do të kushtojë një pjesë të rëndësishme të kohës së saj ndaj problemeve të rajonit tonë, nuk do ta injorojë plotësisht por nuk do të jetë pika kryesore e agjendës së saj”, tha Besar Gërgi, GLPS.
Në Prishtinë ka optimizëm se Kallas mund t’i japë një tjetër dinamikë procesit të normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, që në vitet e fundit ka ngecur mes akuzave për mos respektim të marrëveshjeve.
“Ne duhet tash të presim dhe të shohim cilat janë idetë, qëndrimi dhe pozicioni i saj sa i përket dialogut në mënyrë që më pastaj të shohim se si do të adresohen sfidat që ka dialogu sot”, thotë analisti Gazmir Raci.
Duke qenë se përfaqësuesi aktual, Borrell dhe emisari Lajçak vinin nga dy vende mosnjohëse, ardhja e Kallas përbën një lajm të mirë dhe që mund të rikthejë ekuilibrat që kërkon Kosova në dialog.
“Nuk ka dyshim që ajo do të ketë një rol më përkrahës dhe do të jetë më hezituar në kuptimin kundër Serbisë porse nuk duhet të presim ndonjë ndryshim radikal por se do të ketë përmirësime të disa nuancave”, shton Gërgi.
Si ish-kryeministre e Estonisë, Kallas sjell përvojën edhe me ndikimet dhe përpjekjet ruse për të mbajtur nën tension Ballkanin Perëndimor duke lënë proceset si dialogu.
“E njeh shumë mirë ndikimin e Federatës Ruse që ka jo vetëm në kuadër të invazionit në Ukrainë, por edhe në Ballkanin Perëndimor dhe ajo ka qenë një kohë edhe alarmuese e tendencave të Rusisë për të bartur një pjesë të konflikteve nga Ukraina në Ballkanin Perëndimor ku përfshihet edhe Kosova”, thekson Raci.
Ende nuk është e qartë nëse Kallas do të merret vetë me dialogun apo do të ketë një emisar të ri pasi mandati i Miroslav Lajçak përfundon në fund të janarit. (A2 Televizion)