Komisioni parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrtoi raportin me amadamente për projektligjin për ngritjen e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
Agjencia do të mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në me inteligjencë në fushën e zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë lidhur me kërcënimet dhe rreziqet ndaj misionit kushtetues dhe ligjor të ministrisë dhe FSK-së.
Aktualisht, Ministria e Mbrojtjes ka në nivel drejtorie ushtrimin e këtyre funksioneve e cila, sipas ligjit, udhëhiqet nga një ushtarak me gradën gjeneral, ndërsa tani agjencinë është propozuar ta udhëheqë një ushtarak me gradën kolonel.
Anton Quni, deputet i LDK-së, u shpreh: “Do të ishtë e pakupimtë nga niveli i drejtorisë të kalohet në nivel të agjencionit, nuk janë më vartës të sekretarit, por vartës të ministrit të Mbrojtjes, të ulet grada e atij që udhëheq me agjencionin”.
Enver Dugolli, deputet i LVV-së, theksoi: “Niveli i gradës kolonel është i mjaftueshëm, super i mjaftueshëm, koloneli është një ndër gradat më stabile edhe ushtarake edhe në Forcën e Sigurisë”.
Diskutim të ashpër pati edhe rreth kohës së funksionimit të këtij agjencioni. Sipas amandamenteve, është propozuar që agjencia të funksionohet brenda 12 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa në ditën e hyrjes në fuqi të shuhet Drejtoria për Inteligjencë dhe Siguri në Ministrinë e Mbrojtjes.
Kjo për deputetët e opozitës do të ishte rrezikim i sigurisë nacionale pasi, në rast se ligji hyn në fuqi brenda një muaji, Kosova për 11 muaj nuk do të kishte as drejtorinë dhe as agjencinë. Këto pretendime u hodhën poshtë nga deputetët e pozitës, çka solli një përplasje në mbledhje.
Deputeti i Vetëvendosjes, Dugolli arsyetoi se funksionimi brenda një viti është bërë për t’i dhënë mundësinë e barabartë që të bëhen pjesë e agjencisë edhe njerëzve që nuk janë pjesë e Drejtorisë për Inteligjencë dhe Siguri. Por, kjo sërish u hodh poshtë nga deputetë opozitarë.
Hisen Berisha, deputet i PDK-së, deklaroi: “Po e banalizoj: nuk mundet një bachelor që ka dalë tani nga universiteti dhe një bachelor që ka 15 vjet përvojë me qenë të barabartë sepse për këto 15 vjet ka trajnime, ka specializime të ndryshme, ka përvoja punë, praktikim, nuk janë të barabartë”.
Për shkak të informacioneve të klasifikuara, komisioni vijoi diskutimet pa praninë e mediave.
Agjencia për Inteligjencë dhe Siguri e Mbrojtjes është paraparë të ushtrojë aktivitetet e saj brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Projektligji ka kaluar në shqyrtim të parë vitin e kaluar. (A2 Televizion)