Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në takimin ministror të BE-së në Bruksel.
Kjo vjen kur shënohet 20-vjetori i zgjerimit të fundit, kur 10 shtete të reja anëtare u anëtarësuan në Bashkimin Europian në vitin 2004.
“Gjatë sesioneve do të diskutohet rreth sfidave, nevojave dhe praktikave më të mira dhe reformave të sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ministria.
Ndër të tjera, thuhet se Kosova do të paraqesë arritjet e saj në përmbushjen e reformave për integrimin në BE.
"“Kam ardhur këtu sot me shpresën se ne do të zhvillojmë një diskutim të hapur dhe të sinqertë lidhur me sundimin e ligjit, integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe për vendet e tjera që aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Europian. Gjithashtu do të diskutojmë për nivelin e standardeve demokratike dhe sundimin e ligjit, standard që janë të nevojshme të arrihen përpara se ne mund t’i bashkohemi familjes europiane. Shpresoj që bisedat e sotme do të jenë konstruktive dhe që Republika e Kosovës të mund të kontribuojë si një kampion e demokracisë dhe sundimit të ligjit në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke vendosur standarde të reja për anëtarët e rinj”, tha Gërvalla.
Ministrja Gërvalla do të zhvillojë dhe takime bilaterale me homologë nga vendet anëtare të unionit, me të cilët do të bisedojë për marrëdhëniet dypalëshe dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. (A2 Televizion)