Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese publikon aktgjykimin e plotë

Nga A2 CNN
8 Tetor 2025, 15:43 | Politikë

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese publikon

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka publikuar të mërkurën aktgjykimin e plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Gjykata ka bërë të ditur në vendimin e publikuar ditë më parë se Kuvendi nuk është konstituuar dhe u ka dhënë 12 ditë afat deputetëve që ta finalizojnë procesin, prej ditës së publikimit të plotë të vendimit në faqen e saj, shkruan REL.

"Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë.

Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vëren se bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako.

Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit", është thënë në vendimin e plotë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos