Për të 29-tën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të konsituojnë përbërjen e re parlamentare, duke e zhytur edhe më thellë vendin në krizë. Ashtu si edhe seancat e mëhershme, të cilat kanë nisur më 15 prill, edhe ajo e së hënës zgjati vetëm pak minuta, dhe u mbyll me njoftimin për tu zhvilluar 48 orë më vonë.
Partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë vijojnë të kundërshtojnë ngritjen e një komisioni mbikëqyrës për votim të fshehtë për kryetarin e kuvendit. Diçka e tillë u propozua nga Vetëvendosje, e cila nuk heq dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut nga ky post.
Por partitë e tjera e shohin atë si një figurë përçarëse dhe përsërisin se nuk do të mbështesin zgjedhjen e saj. Një ditë para seancës të hënën, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përsëriti thirrjen e tij për partitë e tjera parlamentare për themelimin e një qeverie të unitetit.
Por, Albulena Haxhiu nga LVV, pas seancës, tha se për këtë parti qeveria e tranzicionit është e papranueshme.
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur së fundmi mundësinë që zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale të rregullta, të cilat u caktuan në 12 tetor, si mundësi për zhbllokim të situatës. Megjithatë, Abelard Tahiri, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha javën e kaluar se beson që zgjedhjet duhet të mbahen të ndara.
Sipas tij, nëse duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, kjo duhet të ndodhë më herët, e jo në tetor kur mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi më 5 qershor se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike. (A2 Televizion)
