Kosova mbetet pa një kuvend të ri edhe pas 37 përpjekjesh për konstituimin e tij. Sërish u pa e njëjta situatë me punimet në parlament, ndërsa palët nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre. Megjithatë Lëvizja Vetëvendosje sinjalizon se mund ta ndryshojë kandidaten e propozuar, Albulena Haxhiu.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka dhënë propozimin e saj dhe në këtë drejtim ne nuk po flasim më për emrin, po flasim për Komisionin për votimin e fshehtë. Kushedi, ndoshta Vetëvendosja do ta ketë një qëndrim tjetër. Por, një herë po flasim për Komisionin për votimin e fshehtë. Por, opozita s’po lejon as të shkojë te propozimi i radhës, por që është e rëndësishme që të vazhdojmë”, theksoi Albulena Haxhiu, deputete e LVV.
Haxhiu përsëriti qëndrimin e kreut të partisë së saj, Albin Kurti, se opozita me këto lëvizje që bëjnë po ia zgjat mandatin si kryeministër.
“Unë nuk e di nëse e keni pasur rastin që të pyesni deputetët e opozitës, shumë thjesht pse vijnë në seancë?”, u shpreh Albulena Haxhiu, deputete e LVV.
Përgjigjen në një farë mënyre e mori në distancë.
“Mos i dëgjoni të gjithë njerëzit që flasin gjëra pa fije inteligjence, si t’ja zgjasin mandatin zotëri Kurtit. Është jo legjitim, nuk ka mandat, e ka uzurpuar detyrën e kryeministrit dhe të deputetit në të njëjtën kohë. Nuk ka logjikë një gjë e tillë. Është urgjente që të bëhen institucionet”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK.
“Në këtë pikë të bllokadës së plotë jemi si rezultat i kryeneçësisë, e papërgjegjësisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit. Madje, madje dëgjojmë edhe deklarime qesharake, ku gjoja thuhet se i kanë numrat për qeveri, por nuk i paskan numrat për kryeparlamentare. Kjo situatë s’do koment, është papërgjegjësi. I bëjmë thirrje kryetarit të LVV-së që të reflektojë. Kosova është shumë më e madhe dhe shumë më e rëndësishme se egoja e tij”, tha Vlora Çitaku, deputete e PDK.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përdori një gjuhë presidenciale, kur u bëri apel palëve që t’i lënë pas llogaritë politike.
“Forcat politike në Kosovë dalë ngadalë duhet me ikë nga kalkulimet dhe lojërat e fjalëve, por duhet të fokusohen dhe të përqendrohen që të përmbushin atë që e presin qytetarët e Kosovës, atë që e pret shteti i Kosovës, sa më shpejt. Edhe ashtu jemi të vonuar, tepër të vonuar.”
Seanca e radhës do të mbahet të premten, ndërsa partitë po presin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse mbajtja e një votimi të fshehtë për konstituimin është konform ligjeve. (A2 Televizion)