ZRRE nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë

Nga A2 CNN
24 Qershor 2025, 13:22 | Politikë

ZRRE nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Ky reagim erdhi pas njoftimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila të hënën njoftoi se ka pezulluar ekzekutimin e një njoftimi të ZRRE-së, që ndalonte një kompani të caktuar të furnizohej përmes shërbimit universal.

“Në këtë rast, gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të njoftimit të ZRRE-së”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Komerciale.

ZRRE sqaroi se ky është një rast individual, që lidhet vetëm me një kompani të veçantë, dhe nuk ndikon në të gjitha bizneset.

Njoftimi për daljen në tregun e hapur u është dërguar të gjitha bizneseve që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.

Këto kompani, sipas vendimit të ZRRE-së, nga data 1 qershor janë të obliguara të zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë elektrike në tregun e lirë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht se vendimi i gjykatës lidhet me një kompani, ai përbën precedent për të gjitha bizneset e mëdha, pasi kanë të njëjtën bazë ligjore.

“ZRRE duhet të reflektojë dhe të pezullojë vendimin për të gjitha bizneset – derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar”, tha Rafuna, duke shtuar se shumë biznese kanë dorëzuar ankesa kundër këtij vendimi, megjithëse nuk tregoi numrin e saktë.

Vendimin e gjykatës e ka mirëpritur edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK).

“Sipas këtij vendimi, ZRRE ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme, duke detyruar mbi 1300 kompani që të dalin në tregun e hapur pa analiza të mirëfillta dhe pa konsultim paraprak”, thuhet në komunikatën e DHTIK-së.

Komuniteti i biznesit e ka kundërshtuar vendimin për liberalizimin e tregut, duke e vlerësuar të dëmshëm për shkak të çmimeve të larta që po ofrojnë furnizuesit e licencuar. Ata kanë kërkuar që zbatimi i vendimit të shtyhet për së paku një vit.

Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 21 kompani për furnizim me energji elektrike, ndërsa një tjetër është në proces të licencimit./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos