KQZ nuk hap kutitë e votave me postë, Vetëvendosje: Akt i turpshëm, përbën vepër penale

Nga A2 CNN
6 Mars 2025, 20:17 | Politikë

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan kundër rekomandimit të Sekretariatit të këtij institucioni për të hapur të gjitha kutitë me vota të dërguara përmes postës, me qëllim që të rivlerësohen votat e shpallura të pavlefshme. Sekretariati tha se e bëri këtë rekomandim bazuar në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me 21 fletëvotime me postë, të cilat ishin shpallur të pavlefshme.

Por, në mbledhjen e mbajtur më 6 mars, përfaqësuesit nga partitë opozitare refuzuan që të merrnin pjesë në votim, duke bërë që rekomandimi të mos kalojë. Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje e cilësoi “akt të turpshëm” votimin në KQZ, duke thënë se një gjë e tillë mund të përbëjë vepër penale. Numërimi i votave nga brenda dhe jashtë vendit për zgjedhjet e 9 shkurtit, u mbyll më 5 mars. Tani, partitë politike dhe kandidatët kanë afat prej 48 orësh që të parashtrojnë ankesa eventuale në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nëse nuk janë të kënaqur me vendimet e Panelit, mund t’ i drejtohen gjykatës së lartë.

Vetëvendosje siguroi mbi 42 përqind të votave, e pasuar nga PDK me 20.9 përqind, LDK me 18.2 dhe AAK me 7 përqind. Për herë të parë Lista Serbe do të përfaqësohet në kuvend me 9 dhe jo 10 deputetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos