Krijimi i qeverisë së Kosovës, LVV e bindur se e formon e vetme kabinetin

Nga A2 CNN
10 Prill 2025, 17:15 | Politikë

Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë regjistruar si deputetë në Kuvendin e Kosovës, janë deklaruar të bindur se ky subjekt i ka numrat për formimin e qeverisë. Një nga këta është edhe Hekuran Murati, i cili është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës. Në një prononcim për mediat ai tha se sa më shumë numra të kenë do të ishte më mirë.

“Me votat e deputetëve të Kuvendit. Për të gjitha këto është çështja e subjektit, sekretariatit të subjektit... Patjetër që po i kemi numrat e qeverisë. 61 i kërkon Kushtetuta, sa më shumë, sa ma mirë... me deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Murati.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pa mjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë. Por, Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se formimi i Qeverisë do të bëhet pa partitë opozitare. Pas regjistrimit si deputet ai u shpreh i bindur se do të arrijnë të formojnë Qeverinë me 63 vota.

"Po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK-në edhe kryeministër do të jetë Kurti dhe kryeparlamentar Glauk Konjufca... Ashtu me vota, 63 vota", deklaroi Halil Thaçi.

Ndërsa ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk është përgjigjur sa i përket ftesës për partitë opozitare. "Para dy dite kam dhënë të gjitha deklarimet rreh këtyre çështjeve, nuk kam diçka për të shtuar", deklaroi Haxhiu.

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar më 8 prill kryetarët e partive politike në vend, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive. Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit, pasi Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos