Osmani kundër Rusisë: Mos përdorni Kosovën për të justifikuar sulmet në Ukrainë

Nga A2 CNN
9 Prill 2025, 20:53 | Politikë

Rusia nuk ka asnjë të drejtë të përdorë Kosovën si argument për të justifikuar aneksimin e territoreve në Ukrainë. Kështu është shprehur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një intervistë të sajën për influencerin Australian Mario Nawaflin. 

“E vetmja ngjashmëri mes rasteve është se krimet që kreu Millosheviçi ndaj nesh janë të njëjta me ato që po kryen Putini ndaj njerëzve të pafajshëm gjatë pushtimit të Ukrainës. Po, janë të njëjtë si Putini dhe Millosheviçi, por nuk ka asnjë ngjashmëri mes Kosovës dhe territoreve të aneksuara nga Rusia. Rusia nuk ka asnjë justifikim që të flasë për ndonjë precedent që kinse ka krijuar Kosova. Situata është krejtësisht ndryshe”, tha presidentja Osmani.

Zyrtarët rusë shpesh e kanë marrë Kosovën si shembull për të justifikuar territoret e aneksuara në Ukrainë, duke nisur nga Krimea në vitin 2014.

Osmani ka theksuar se pavarësia e Kosovës ka qenë rezultat i së drejtës së popullit për vetëvendosje dhe si rrjedhojë e një regjimi shtypës dhe kriminal të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviçi, ndërsa situata në Ukrainë, sipas saj, është një agresion i pastër ushtarak nga ana e Rusisë.

Osmani foli për ndjenjat pro amerikane të popullit kosovar, e cila sipas saj qëndron si vlerë dhe liri. 

“Demokracia na ndihmoi ne, është normale të thuhet se Kosovës është kombi më pro amerikan në botë. E shikojmë veten si zgjatim i vlerave amerikane. Si kombi më pro-amerikan në Tokë, ne jemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me popullin amerikan. Është një aleancë e pakrahasueshme – një aleancë që ne presim ta forcojmë përmes Presidentit për të folur për rrugëtimin e Kosovës – nga historia e saj, te gjenocidi i mbijetuar, në ndërtimin e një djepi lirie, një demokracie paqedashëse, të lulëzuar dhe largpamëse”, tha Osmani.

Në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare, presidentja u shpreh se zhvillimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Rusisë do të varet nga ecuria e paqes në Ukrainë. Gjithashtu ajo shtoi se paqja dhe liria mund të arrihet vetëm nën lidershipin e Amerikës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos