Serbia mund të përdorë elementë destruktivë për të nxitur incidente gjatë festës serbe të Vidovdanit, të shtunën në Gazimestan, rreth 10 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.
Duke folur në një mbledhje të qeverisë në detyrë, Kurti tha se Serbia do të përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga protesta antiqeveritare që pritet të zhvillohet po të shtunën në Beograd, duke nxitur incidente në Kosovë, shkruan A2.
Sipas tij, grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë organizuar për të hyrë në Kosovë, me qëllim që të marrin pjesë në këtë aktivitet, i cili, siç tha ai, tradicionalisht ka qenë i mbushur me provokime. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve dhe paralajmëroi se institucionet nuk do të lejojnë asnjë cenim të rendit, sigurisë apo paqes publike.
“Pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan. Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Prandaj, janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht, grupet e tilla kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu kundër vlerave demokratike dhe evropiane. U bëjmë thirrje bashkatdhetarëve tanë që mos të bien pre e asnjë provokimi nga kushdoqoftë në ditën e nesërme. Nuk do të tolerojmë veprime që cenojnë rendin, sigurinë dhe paqen publike në Kosovë”.
Serbët nga Kosova, Serbia dhe rajoni tradicionalisht e shënojnë Vidovdanin më 28 qershor në Gazimestan, një monument historik pranë Prishtinës. Kurti tha se festa e Vidovdanit, “megjithëse me karakter fetar, fatkeqësisht vazhdimisht është përcjellë me retorikë politike, nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë”.
Javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e shfuqizoi vendimin e Komunës së Graçanicës për shfaqjen e flamurit të Serbisë për nder të Vidovdanit më 2024. Kurti tha se tubimet për Vidovdan duhet të mbahen në përputhje me ligjin, “jo të shndërrohen në mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd”.
Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar kanë dënuar ndalimin e simboleve serbe duke akuzuar Kurtin se gjatë seancave në Kuvendin e Kosovës shfaq flamurin kombëtar të Shqipërisë. (A2 Televizion)