Liderët e partive politike do të tentojnë të gjejnë një zgjidhje për ngërçin e krijuar me mungesën e konstituuimit të Kuvendit në një takim pasditen e së shtunës të ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Seanca e së premtes, e para pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, u ndërpre menjëherë me dakordimin e të gjitha subjekteve pasi do të pritet takimi i së shtunës.
Megjithatë, partitë dëshmuan se e kanë lexuar ndryshe vendimin e gjykatës, sidomos në pikën nëse duhet të ketë një votim të fshehtë apo të hapur.
Lëvizja Vetëvendosje tha se Kushtetuesja nuk e ka kundërshtuar një votim të fshehtë ndërsa knadidatja e tyre për kryeparlamentare tha se do të hiqte dorë nëse dështon në votim të mbyllur.
“Nëse unë si kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i marr së paku 61 vota tërhiqem nga kandidatura për kryetare të Kuvendit”, tha Albulena Haxhiu, LVV.
Partia Demokratike, që ka kundërshtuar votimin e fshehtë por edhe votën “pro” për çdo ministër të Qeverisë aktuale, tha se Vetëvendosje nuk po bën asnjë hap drejt kompromisit.
“Lëvizja Vetyëvendosje deri sot nuk ka bërë asnjë kompromis, me i thirr liderët e partive politike në takim, të zhvillojë takime, nuk është kompromis, nuk është lëshim pe, prandaj mendojmë se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar në mënyrë të qartë atë që kemi thënë, kryetari i Kuvendi duhet të zgjidhëet me kompromis dhe konsensus”, tha Përparim Gruda, PDK.
Lidhja Demorkatike nuk u shpreh shumë optimiste për takimin e së shtunës duke thënë se plani i Kurtit është që të vazhdojë bllokadën.
“Kemi parë edhe prononcimet e ndryshme nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët e kanë në plan ta vazhdojnë këtë ngërç duke e bërë një interpretim ndryshe nga krejt Kosova të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Hykmete Bajrami, LDK.
Edhe Aleanca për Ardhërminë e Kosovës kërkoi që zgjedhja e kryeparlamentarit të bëhet përmes votimit të hapur.
“Janë pjekur kushtet me u kthye praktika e votimit e votës së hapur, janë krijuar këto kushte. Gjykata e ka dhënë shpjegimin, njëkohësisht janë pjekur kushtet edhe për konsulta për tu dakorduar për kandidatin”, tha Ramush Haradinaj, AAK.
Seanca për konstituuimin e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill pa ndonjë rezultat. FIllimisht për shkak të votave kundër për Albulena Haxhiun dhe më pas përpëjkjeve të dështuara për të pasur votim të fshehtë. (A2 Televizion)
Ndërpritet seanca, partitë e interpretojnë ndryshe vendimin e Kushtetueses
