Kurti hesht! VV e bindur se ka numrat për të votuar qeverinë

Nga A2 CNN
10 Prill 2025, 20:43 | Politikë

Albin Kurti sërish nuk ka treguar se si do t’i bëjë 61 votat e kërkuara për të votuar Qeverinë e re pas refuzimit për takim nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 

Ai së bashku me deputetët e rinj të Lëvizjes Vetëvendosje iu drejtuan Kuvendit të enjten për regjistrimet e nevojshme para mbajtjes së seancës të paraparë për datën 15 prill.

Në interesimin e mediave, Kurti tha se kishte një takim dhe nuk mund të përgjigjej.

Ndërsa zëvendësja e tij në Qeveri, Donika Gërvalla tha se nuk ka dilema se kush do ta formojë kabinetin e ri qeveritar, vetëm se la të hapur edhe ndonjë datë tjetër.

“Dihet kush do ta formojë qeverinë me 15 apo më vonë. Me votat e nevojshme”, tha Donika Gërvalla.

Edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, konfirmoi se do të kenë votat e majftueshme.

“Patjetër që po, po 61 i kërkon kushtetuta, sa ma shumë, sa ma mirë”, shtoi ministri Murati.

Ndërsa Albulena Haxhiu refuzoi të thoshte nëse do të ketë ftesë për Partinë Demokratike të Kosovës.

Edhe pse ditë më parë nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se iu duhet koalicioni, kështu nuk mendoi ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

“Ai është mendim i tyre, ne e dimë se i kemi numrat dhe do ta bëjmë Qeverinë me deputetët e Repulikës së Kosovës. Me cilët deputetë? Me deputetët e Republikës së Kosovës”, tha Agim Bahtiri.

Më konkret u tregua deputeti tjetër, Halil Thaçi, i cili tha se kanë 63 vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë.

“Unë po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK, edhe kryeministër do të jetë Albin Kurti e kryeparlamentar Glauk Konjufca”, shtoi Halil Thaçi.

Ndërsa deputeti Armend Muja tha se shpreson që Kurti nuk do t’i bëjë ftesë Partisë Demokratike të Kosovës duke shprehur hapur kundërshtinë për një koalicion me partinë e Memli Krasniqit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos